merkelKancelarja gjermane Angela Merkel mbërrin në Kiev për një vizitë zyrtare, teksa kamionët rusë me ndihma humanitare po rikthehen në Rusi.

Merkel e nisi turin e takimeve në Kiev me Presidentin Petro Poroshenko, i cili e priti kancelaren gjermane me një buqetë me lule.

Vizita e saj shihet edhe si një shenjë se qeveria pro-perëndimore e Kievit nuk është vetëm, por ka mbështetjen e Gjermanisë, Bashkimit Europian dhe krejt perëndimit, në këto momente tensionesh me Moskën, për shkak të mbështetjes që Putin u jep militantëve pro-rusë në lindje të vendit.

Thelbi i vizitës së Merkel janë bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje politike kompromisi me Moskën, për konfliktin e nisur prej muajsh në rajonet lindore.

Për të rakorduar qëndrimet e tyre për krizën ukrainase, përpara nisjes drejt Kievit, Merkel pati edhe një telefonatë me presidentin amerikan Barak Obama.

Ajo çka një ditë më parë u pa si nisja e një invazioni të Rusisë në Ukrainë dhe që shqetësoi jashtë mase perëndimin, sot mund të konsiderohet e përfunduar. 280 kamionët e Moskës me ndihma humanitare nisën rikthimin drejt pikave kufitare me Rusinë. Këtë e konfirmuan edhe përfaqësuesit e OSBE-së në lindje të Ukrainës.

Në total, u transportuan 1800 ton ndihma humanitare për banorët e rajoneve lindore, të cilët i përcollën me duartrokitje kamionët rusë.

Luhansku është qendra nga ku do të shpërndahen ndihmat humanitare, si ushqime, ujë, ilaçe e deri tek gjeneratorët e energjisë elektrike.

Luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve filo-rusë në këto zona vijojnë të ashpra. Në orët e para të mëngjesit, 2 persona humbën jetën në qendër të Donjeckut, nga goditjet e artilerisë së Kievit. Në qytet janë dëgjuar shpërthime të fuqishme. Numri i viktimave nga përplasjet, që prej muajit prill ka arritur në 2200.

 

TV KLAN