Kacelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar Presidentin turk të ndalojë menjëherë krahasimin e Gjermanisë me nazizmin. Merkel tha se nëse Erdogani vazhdon, të tjera mitingje politikanësh turq do mund të bllokoheshin.  

Autoritetet gjermane kanë anuluar disa mitingje të ministrave turq në Gjermani para referendumit kontraversial që parashikon rritjen e pushtetit për presidentin Erdogan. Erdogan reagoi pas anulimeve duke akuzuar Gjermaninë për “praktika naziste”.

“Kur ata (Europën) i quan nazistë nuk ndihen rehat. Ata solidarizohen me njëri tjetrin, veçanërisht Merkeli,” tha Erdogan gjatë një interviste televizive. Presidenti turk duket se iu drejtua direkt Merkelit për praktika naziste, duke iu drejtuar me “ti”.

“Komenti im se krahasimet me nazizmin që vijnë nga Turqia duhet të ndalojnë, vlejnë ende. S’ka përse as por,” tha Merkel, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.

Duke iu përgjigjur komenteve të Erdoganit, Merkel tha se Gjermania kishte të drejtë “të ndërmerrte të gjitha masat” përfshirë rishikimin e lejeve të dhëna deri më tani. Merkel tha se komente të tilla “po thyenin çdo tabu, pa marrë parasysh vuajtjet e atyre që ishin persekutuar dhe vrarë” nga nazistët.

Merkel shtoi se të gjitha paraqitjet e politikanëve turq në Gjermani mund të zhvillohen vetëm në përputhje me ligjet gjermane.

Së fundmi, zv/kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, tha se Gjermania po ndërhynte në punët e brendshme të Turqisë duke shtuar se ishte e papranueshme që gazetat gjermane të publikonin kaq shumë kryeartikuj rreth Turqisë. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel tha  për “Passauer Neue Presse” të dielën se Gjermania ishte tolerante por jo e trashë. Ai tha se ia kishte bërë të ditur shumë qartë homologut turk se Turqia tashmë e kishte kaluar vijën./tvklan.al