Kancelarja gjermane Angela Merkel ka reaguar për herë të parë 16 orë pas sulmit me armë në Mynih, ku mbetën të vrarë 9 persona dhe u plagosën mbi 20 të tjerë.

Kancelarja nuk udhëtoi drejt Mynihut, por u rikthye në Berlin nga pushimet në Alpe. Ajo nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, por doli me një deklaratë për shtyp.

“Mynihu kaloi një natë terrori. Ata që dëshonin thjeshtë të shkonin për darkë kanë vdekur dhe ata u vranë nga plumbat e një agresori që veproi vetëm. Në këto momente mbajmë zi për të gjithë ata që nuk do të rikthehen më tek familjet e tyre. Të gjitha ato familje, prindër, fëmijë që sot gjithçka u duket e kotë dhe bosh, unë i them në emër të shumë, shumë njerëzve në Gjermani, se ndajmë me ju dhimbjen, se ju kemi në mendje dhe se po vuajmë bashkë me ju”,

ishin këto fjalët e kancelares gjermane Merkel.

Pas kësaj, ajo foli për mungesën e stabilitetit në vendet e Bashkimit Europian, duke sjellë në vemendje se nuk ka kaluar shumë kohë që nga masakra me 84 të vdekur në Nice, apo dhe sulmin me sëpatë, të ndodhur gjatë kësaj jave në një tren në Wurzburg të Gjermanisë.

Por fjalët e kancelares nuk kanë zbutur aspak përdoruesit në rrjete sociale, të cilët kanë patur një reagim të ashpër ndaj saj, pasi e fajësojnë Merkel për vendimet e marra sa i përket emigrantëve.

Edhe reagimi me vonesë i saj për tragjedinë e një nate më parë nuk ka kaluar pa kritika.

Autori i masakrës në qendrën tregtare të Mynihut u identifikua si Ali Sonboly, një 18 – vjeçar gjermano – iranian, me probleme psiqike./tvklan.al