merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë se Shengeni do të rishikohet nëse Europa nuk do të ketë sukses në shpërndarjen e emigrantëve që vijnë nga vendet e konfliktit.

“Nëse ne nuk shënojmë sukses për shpërndarjen e drejtë të refugjatëve, pa mëdyshje cështja Shengen do të jetë pjesë e axhendës për shumë vende”.

Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Merkel iu referuar edhe sulmeve kundër refugjatëve, duke thënë se nuk do të ketë më të voglën tolerancë për të gjithë ata që vënë në pikëpyetje dinjitetin e të tjereve.

“Numri i atyre që ndihmojnë të huaj të hyjnë në qytete, bashkësi, madje edhe në shtëpi, është shumë herë më i madh se numri i ksenofobëve”.

Austria ka përforcuar masat në kufirin lindor, disa ditë pas vdekjes tragjike të 71 emigrantëve në një kamion frigoriferik që vinte nga Hungaria. Ministrja e Brendshme Austriake Johana Mikël Leitner tha se “kontrollet që po kryhen nuk i ngjajnë kontrolleve tradicionale kufitare dhe se Austria nuk po e shkel marrëveshjen Shengen”.

Të hënën, kryeministri francez, Manuel Vals paralajmëroi se kriza e emigrantëve do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Të djelën, sekretarja e brendshme britanike, Theresa Mej fajësoi Shengenin, ku Britania e Madhe nuk është anëtare, për tragjeditë si dhe kërkoi rregullave më të forta për lëvizjen e lirë.

Disa qeveri europiane janë shprehur të gatshëm për të ndryshuar Shengenin, por Komisioni Europian është shprehur kundër kësaj lëvizjeje.

Mateo Renzi, kryeministri i Italisë, një nga vendet më të goditur nga kriza e emigrantëve tha se “Bashkimi Europian duhet të farkëtojnë një poltikë të vetme për azilin, për të mos patur aq politika sa ç’janë vendet anëtare të tij”.

Tv Klan