Në deklarimet e para pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve kancelarja Angela Merkel u shpreh, se ka besim t’u prezantojë gjermanëve një qeveri të qendrueshme deri në Krishtlindje.

Kancelarja Angela Merkel pas fitores, ndonëse me erozion rekord të elektoratit për CDU-në, në zjedhjet parlamentare të së dielës (24.09), u shpreh se e konsideron të mundshme që pavarësisht bisedimeve të vështira të koalicionit, ajo është e sigurtë se deri në Krishtlindje do të mund t’u prezantojë një qeveri të qendreushme gjermanëve. Në raundin televiziv të Berlinit me kryetarët e partive kryesore të Bundestagut zhvilluar nga kanalet televizive publike ARD dhe ZDF,

Merkel shprehimisht nënvizoi: “Unë jam në përgjithësi me besim. E përveç kësaj: prej shumë vitesh unë kam moton, që tek qetësia qendron forca.”

Kryesia e SPD-së deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake dhe humbjes së rëndë të saj, se do të dalë në opozitë. E mundshme mbetet, që koalicioni i ardhshëm qeverisës të përbëhet nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit. Krijimi i një koalicioni të tillë konsiderohet i vështirë për shkak të diferencave të mëdha mes CSU-së dhe ekologjistëve./DW