Pas takimit të kryeministrit bullgar Boyko Borissov dhe kancelares Angela Merkel në Berlin, kancelarja gjermane i kushtoi vëmendje në konferencën e shtypit zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën për shtyp të kancelares Merkel dhe kryeministrit bulgar (07.06), Boyko Borissov pati një rëndësi të veçantë roli i Bullgarisë në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e këtyre vendeve në BE.

Merkel bëri të ditur se është biseduar mes dy politikanëve edhe për situatën në Ballkan, parë nga perspektiva e Bullgarisë, që në njërën anë kufizohet me vendet e Ballkanit Perendimor. Ajo u shpreh se Bullgaria ka interes të madh për një stabilitet të qëndrueshëm për rajonin e Ballkanit.

Rëndësia e procesit të Berlinit

Si kancelarja Merkel ashtu edhe kryeministri bullgar veçuan rëndësinë e procesit të Berlinit. Merkel tha se ajo pret takimin e radhës në Trieste, ku do të jenë mundësitë për të biseduar për “një vision të shpresës për këtë rajon”. “Me këtë do të theksojmë edhe një herë mbështetjen tonë për këto vende gjatë procesit të integrimit të tyre në BE pasi shihet qartë se ka interesim edhe nga vende tjera që duan të rrisin influencën e tyre ne Ballkan” tha Merkel.

Kryeministri bullgar vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka integrimi i këtyre vendeve në BE dhe se pozicioni gjeografik i Bullgarisë jep mundësi për të bërë shumë që Ballkani të ecë përpara . “Dëshiroj shumë, që të ketë një perspektivë të thjeshtë edhe për njeriun e thjeshtë në rrugë, nuk bëhet fjalë për elitat, por për qytetarin normal të Ballkanit, që qytetari i thjeshtë ta dijë, se ai do të jetë një ditë anëtar i BE, që do të jetë një njeri i lirë e  që do të mund t’i gëzojë të gjitha të drejtat që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian”, tha Borissov.

Bullgaria që prej 10 vitesh është pjesë e Bashkimit Europian, nga 1 janari i vitit të ardhshëm për herë të parë do të marrë drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel vlerësoi edhe bashkëpunimin e lartë bilateral të të dy vendeve, posaçërisht atë në fushën ekonomike. Kancelarja gjermane bëri të qartë rëndësinë e bashkëpunimit sa më të mirë midis vendeve të Europës, sidomos pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE dhe situatës së komplikuar gjeopolitike./DW