Qeveria amerikane dhe ajo gjermane kanë njoftuar se më 27 prill kancelarja gjermane, Angela Merkel do të zhvillojë udhëtimin e saj të dytë drejt Shtëpisë së Bardhë, nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Analistët gjermanë më 18 prill kanë thënë se lufta në Siri, marrëdhëniet me Rusinë, çështjet e tarifave dhe e ardhmja e marrëveshjes bërthamore me Iranin do të jenë disa nga temat e diskutimit.

“Pasi Qeveria gjermane, beson se përballja me këto sfida është interes i përbashkët i Gjermanisë dhe SHBA-së, natyrisht se ka kuptim që të takohemi dhe të bisedojmë për këto gjëra”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Ulrike Demmer.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar më 5 prill se vizita e Merkelit pritet të ndodhë, mirëpo nuk ka specifikuar ndonjë datë.

Takimi në mes të Trumpit dhe Merkelit do të vijë tetë ditë pasi kancelarja Merkel të ketë pritur në Berlin presidentin francez, Emmanuel Macron.

Të dy liderët pritet të diskutojnë për pozicionin e përbashkët në reformimin e Bashkimit Evropian, para mbajtjes së samitit të bllokut më 28-29 qershor./REL