Kur sugjerova në një artikull të vitit 2015 se Kancelaria gjermane Angela Merkel mund të bëhej udhëheqëse e botës së lirë, e dija që ishte një ide jo shumë premtuese. Në fund të fundit, përkundrejt rolit të saj udhëheqës në Evropë dhe gjatë krizës së refugjatëve, ajo në fakt nuk dukej se e donte rolin e saj.

Sot, jam më pak i sigurt. Ajo në të vërtetë mund ta ketë ambicie dhe talent.

Kur Merkel të fillojë mandatin e saj të katërt, pas zgjedhjeve të Gjermanisë këtë të diel, do të përballet me një botë tjetër nga ajo e vitit 2013, kur u rizgjodh për herë të fundit.

Por nëse bota ka ndryshuar, të njëjtën gjë ka bërë edhe kancelarja. Me siguri ky do të jetë mandati i saj i fundit, pra është koha e trashëgimisë. Për më tepër, gruaja prej së cilës rrodhi termi “merkeling” që do të thotë “bëj lëmsh”, më në fund duket se e ka rrokur tërësisht detyrën e saj, që është udhëheqja e Gjermanisë, ajo në fakt është më shumë sesa vetëm udhëheqëse e Gjermanisë.

Shikoni se çfarë ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit nga perspektiva e Merkel: Ashtu si Gjermania shpëtoi nga përpjekjet e saj të kushtueshme dhe të lodhshme për të rikuperuar Eurozonën, presidenti Vladimir Putin i Rusisë shkatërroi një tabu të pas luftës duke ndryshuar dhunshëm kufijtë e Evropës.

Presidenti amerikan, i cili braktisi një tjetër parim të pas luftës në sytë e Gjermanisë: përkushtimin ndaj një rendi botëror liberal dhe bashkëpunues.

Më shumë se çdo gjë tjetër është ky ndryshimi i fundit që ka ndikuar më shumë në evolucionin e zonjës Merkel. Deri para se Trump të merrte pushtetin, Gjermania ka qenë gjithnjë dakord me parimet e politikës së jashtme të Amerikës dhe pavarësisht rritjes ekonomike dhe fuqisë politike, përsëri kanë qenë të gatshëm të lenë Uashingtonin të marrë drejtimin.

Por çfarë do të ndodhë kur kjo marrëveshje të mos funksionojë më?

Shumë kohë përpara se presidenti Trump të përdorte këtë javë podiumin e Kombeve të Bashkuara për të bërë thirrje për një “rizgjim të kombeve”, këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, gjenerali McMaster dhe drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Gary D. Cohn patën përshkruar më saktësi se çfarë do të thotë presidenti me shprehjen “America first” (Amerika e para).

Në një shkrim në The Wall Street Journal, në Maj, ata shkruajnë se

“bota nuk është një ‘komunitet global’, por një arenë ku kombet, personalitetet joqeveritare dhe bizneset angazhohen dhe konkurrojnë për përparësi”.

Ata shtuan:

“Ne i sjellim këtij forumi forca ushtarake, politike, ekonomike, kulturore dhe morale që s’janë parë ndonjëherë. Në vend që ta mohojmë natyrën thelbësore të çështjeve ndërkombëtare, ne e përqafojmë atë.”

  

Gjenerali McMaster dhe Cohn thanë se Amerika shpreson të punojë me miqtë dhe aleatët. Por kush janë miq dhe aleatë? Vetëm ata, autorët e bëjnë shumë qartë, me të cilët

“interesat tona lidhen.” 

Ndërkohë,

“ata që zgjedhin të sfidojnë interesat tona do të ndeshen me qëndrimet më të forta.”

Madje edhe nga larg, duket e qartë se një mendim i tillë “ne kundër tyre” i shumëzuar me zero, nuk është produkti i Trump dhe këshilltarëve të tij. Përkundrazi, ky ton armiqësor dhe autoritar duket se ka dalë nga një klimë politike e brendshme në të cilën njerëzit me përplasje në mendime kanë nisur ta shohin njëri – tjetrin si armiq.

Ashtu si edhe senatori Jeff Flake, një republikan nga Arizona, e ka vënë në dukje në librin e tij të ri, “Ndërgjegjja e një konservatori”, Partia Republikane ka vendosur të

“braktisë arsyen dhe çdo nocion të vjetër për të mirën e përbashkët dhe të ketë një oreks të pashërueshëm për shkatërrim.”

Me pak fjalë ‘Trumpizm; do të thotë

: “Kur ju humbni, unë fitoj. Të jesh i fuqishëm është e barabartë me të qënurit i drejtë. Dhe nëse doni të favorizoni interesat tuaja, është e ligjshme t’u shkaktosh dëm të tjerëve”.

Kjo nuk është një rrugë që mund të ndjekë as Gjermania dhe as fqinjët e saj evropianë. Nëse Trumpizmi do të ishte aplikuar në Gjermani në vitin 1945, vendi im do të ishte një provincë e Bashkimit Sovjetik dhe gjermanët perëndimorë nuk do të mund të jetonin kurrë në luks dhe aq më pak Amerika të ishte një pishtar lirie.

A ka të meta Bashkimi Evropian, ndoshta shembulli më i mirë i qeverisjes multilaterale në botë? Mos ka krijuar shumë burokraci të panevojshme? A ka dështuar në përmbushjen e detyrave kryesore? Sigurisht që po. Por ideja e zotit Trump se “burokracia” si e tillë pengon sovranitetin është po aq e vobektë sa ideja që Britania do të jetë më mirë jashtë Bashkimit Evropian. Burokracia e Brukselit, para së gjithash ka lehtësuar shumë tregtinë brenda Evropës. Britanikët janë gati të përjetojnë atë që ndodh pa praninë e tyre.

Merkel i di këto gjëra, ajo i beson me mish e shpirt ato. Dhe duket se e ka të qartë se në vitin 2017, i takon asaj të kujdeset për mbrojtjen e tyre. Nuk ishte rastësi fakti që ajo dha lajmërimin se do kandidonte për një mandat të katërt, vetëm pas votimeve të Brexit dhe pasi Donald Trump u transferua në Shtëpinë e Bardhë. 

Çfarë do të thotë fakti që Merkel të zgjedhë standardin e botës së lirë? Presin që ajo të mbrojë dhe të promovojë Bashkimin Evropian si një kantier ndërkombëtarizmi liberal, kundër një Amerike që mund të fillojë ta sulmojë atë. Në të njëjtën kohë, presin që ajo të bëjë më shumë për të zbutur pasojat negative të ndërkombëtarizmit politik dhe ekonomik te gjermanët dhe evropianët. Në pikëpamjen e Merkel, diçka e tillë nuk ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, për shkak të mungesës së një “sistemi të arsyeshëm shoqëror”, siç e tha në një intervistë.

Me pak fjalë, Merkelizmi nxjerr një përfundim shumë të ndryshëm nga Trumpizmi, rreth efekteve shqetësuese të globalizimit. Trump dëshiron të prishë dhe të shkatërrojë, Merkel kërkon të vazhdojë, por të korrigjojë. Nëse bota e lirë udhëhiqet më së miri nga suksesi, atëherë kancelarja gjermane duket të jetë gruaja e duhur, në kohën e duhur, për ta realizuar këtë.

Burimi: Jochen Bittner/The New York Times

Shqipëroi: G.S/tvklan.al