Teksa vitet kalojnë, shumë prej nesh përballen me realitetin e vështirë të thinjave, apo edhe më keq të rënies së flokëve.

Prej shumë dekadash shkencëtarët janë rrekur të zbulojnë arsyet biologjike pas këtyre ndryshimeve të padëshiruara dhe më në fund duket se ka shpresë.

Një studim i ri publikuar në “Genes and Developement” thotë se më në fund shkencëtarët kanë arritur të identifikojnë qelizat specifike që rrisin flokët dhe zhvillojnë pigmentin – një hap i madh para drejt zhvillimit të një kure të mirëfilltë kundër thinjave dhe rënies së flokëve.

Revista thotë se eksperimenti i suksesshëm është realizuar tek minjtë. Ky ishte një zbulim rastësor teksa shkencëtarët po analizonin çrregullimin e rrallë gjenetik që shkakton rritjen e tumorit në nerva, i cili quhet Neurofigromatosis Type 1.

Kreu i grupit të shkencëtarëve Lu Le, nga Universiteti i Teksasit, tha se “Megjithëse ky projekt nisi si një përpjekje për të kuptuar zhvillimin e llojeve të veçanta të tumoreve, ne përfunduam duke mësuar arsyen e thinjave dhe zbulimin e qelizave që shkaktojnë rritjen e tyre.”

Ai shpreson se me këto njohuri, në të ardhmen të arrihet tek kura për ndalimin e thinjave dhe rënies së flokëve.

Mjekët zbuluan se kur proteinat e quajtura KROX20 dhe SCF janë në një qelizë, ato bashkëveprojnë me qelizat melanocite që prodhojnë pigmentin duke prodhuar flokë të shëndetshëm dhe me ngjyrën natyrale.

Por, nëse njëra prej këtyre mungon, i gjithë procesi shkon keq duke rezultuar në thinja apo rënien e flokëve. Kur hiqnin proteinën KROX20 flokët binin, ndërsa kur hiqnin SCF-në, flokët thinjeshin.

Për të qenë të qartë, ky studim është kryer vetëm tek minjtë deri më tani. Ne kemi shumë ngjashmëri biologjike me minjtë, por shkencëtarët duhet ta përsërisin të njëjtin studim tek njerëzit para se të gëzohemi.

Por, Le dhe skuadra e tij tashmë kanë nisur punën edhe për këtë. Ekziston shpresa që ky studim nuk do të na mësojë vetëm pse thinjen apo bien flokët teksa vitet kalojnë, por edhe të arrijnë në realizimin e një kure të mirëfilltë që do u jepte fund këtyre problemeve duke na ndihmuar të dukemi më të rinj teksa plakemi. /tvklan.al