Fatime Vata, mësuese e ciklit fillor në shkollën “Skënder Luarasi” është ndaluar nga Policinë e Tiranës, pas videos së dhunës të transmetuar një natë më parë në emisionin investigativ “STOP”, në Televizionin Klan.

Do të jetë prokuroria që do të vendosë për arrestimin e saj, si dhe akuzën që do të ngrejë. Mësuesja dëgjohet teksa shan dhe fyen nxënësit e klasës së parë.

Pas transmetimit të këtyre pamjeve, edhe Ministria e Arsimit ka pezulluar mësuesen nga detyra.

Emisioni “STOP” vendosi të ndjekë skandalin, pas ankesave të shumë prindërve. Në pamje, mësuesja duket teksa u drejtohet fëmijëve me ton të lartë dhe etiketime fyese.

Veç dhunës psikologjike, mësuesja nuk heziton të dhunojë fizikisht njërin prej nxënësve.

Ky nuk është rasti i vetëm i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla. Edhe më parë, emisioni inevstigativ “STOP” ka transmetuar video ku mësuesit dhunojnë nxënësit. I tillë ishte ai para një viti tek shkolla 9 – vjeçare “Ramazan Jarani”, ku mësuesja e Edukimit Fizik dhunon një nxënës të klasës së 8-të.

Një tjetër rast është edhe dhuna barbare e ushtruar nga administratorja e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani ndaj një fëmije vetëm 3 – vjeç, në Korrik të 2016. Shabani është dënuar me dy vjet heqje liri në përfundim të gjykimit për ushtrim dhune.

Tv Klan