Shumë shpejt Apple do të ofrojë opsionin “Do Not Disturb While Driving”

(Mos shqetësoni kur jam në timon)

, që bllokon të gjitha njoftimet dhe fik ekranin e telefonit, kur përdoruesi është në timon.

Fillimisht, përdoruesit do të duhet ta aktivizojnë dhe më pas është vetë telefoni që detekton në mënyrë automatike që personi po i jep makinës dhe çaktivizon të gjitha njoftimet, duke nisur nga Facebook, WhatsApp, etj.

Përdoruesit do të jenë gjithashtu në gjendje që të dërgojnë një mesazh automatik, për këdo që do të përpiqet që t’i kontaktojë, ku shkruhet “Jam në timon”.

Apple tha se kjo risi ka për qëllim rritjen e përqendrimit të shoferëve. Ajo do të përfshihet në përditësimin e ardhshëm të sistemit operativ iOS 11, në vjeshtë.

Sipas ekspertëve, kohët e fundit njerëzit preferojnë të komunikojnë më shumë me anë të tekstit dhe aplikacioneve të rrjeteve sociale sesa nëpërmjet telefonatave, ndaj dhe ky funksion i ri është mirëpritur nga grupet monitoruese./tvklan.al