Sot është dita e madhe për misin dhe aktoren shqiptare, Almeda Abazi, e cila do të martohet në Los Angeles të SHBA-ve me aktorin e njohur turk, Tolgahan Sayisman.

Ceremonia e martesës do të zhvillohet më vonë të hënën, teksa Sayisman ka postuar edhe një mesazh romantik dhe shumë vlerësues për shqiptaren, e cila sot që mbush 25-vjeçe do të veshë fustanin e nusërisë.

 

“Ta duash një njeri me zemër është që buzëqeshja e saj të të duket agim i ditës. Të gjesh një person që t’i kujton të gjitha bukuritë e krijuesit, është bekim më vete. Zoti bëftë që të gjithë ju të jeni bashkë me njerëz me të cilët të plakeni dorë për dore, me njerëz që t’i lëshoni gjethet e kohës plot dashuri. Le të jetë ky postimi me të cilin i jap lamtumirën beqarisë

,” shkroi Sayisman në profilin e tij në “Instagram”. Almeda Abazi iu përgjigj duke i thënë se edhe ajo e dashuronte shumë.

 Shqiptarja është në lidhje dashurie me aktorin turk prej dy vitesh, ndërsa në Nëntor 2016 ata u fejuan dhe filluan përgatitjet për dasmë. Çifti pritej të martohej më vonë në pranverë, por Sayisman ka vendosur qe ditëlindjen e Almedës ta bëjë edhe më të paharrueshme.

Almeda Abazi, e cila ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri, është zgjedhur Miss Albania dhe Miss Globe në vitin 2008. Më pas ajo është zhvendosur në Turqi, ku ka marrë mësime aktrimi dhe përveç të tjerash ka luajtur edhe në telenovelën “Sulejmani i Madhërishëm”.

Në Dhjetor 2015, Almeda ka prezantuar “Këngën Magjike”, së bashku me Ardit Gjebrean.

I dashuri i saj, Tolgahan Sayisman është një prej aktorëve më të pashëm dhe më të paguar turq. Abazi dhe Sayizman cilësohen si një prej çifteve më të bukura turke dhe janë gjithnjë në vëmendjen e medias./tvklan.al