Më në fund vendimi erdhi. Gjykata Supreme në Spanjë la në fuqi dënimin me 21 muaj burg për Lionel Messin.

Argjentinasi akuzohej për evazion fiskal. Babai i tij dhe njëkohësisht menaxher është dënuar me 15 muaj burgim. Dënimet janë dhënë pasi Messi nuk kishte deklaruar plotësisht të ardhurat për vitin 2007, 2008 dhe 2009.

Për secilin vit gjykata një vit më parë kishte vendosur 7 muaj burgim si dhe gjoba nga 530 deri në 790 mijë euro.

Avokatët e familjes Messi, gjatë mbrojtjes kanë thënë se babë e bir, Leo dhe Jorge janë injorantë sa i përket ligjeve fiskale në Spanjë dhe për këtë arsye kanë gabuar në deklarimin e të ardhurave dhe rrjedhimisht në pagesat e taksave.

Megjithëse vendimi i Gjykatës Supreme ishte lënia në fuqi e dënimit me burgim, as Messi dhe as babai i tij nuk do të kalojnë asnjë ditë në izolim pasi në Spanjë dënimet nën 2 vjet konvertohen në gjobë.

Familja Messi pritet të paguajë pak më shumë se 5 milionë euro, shumë që për ta do të ishte e papërfillshme.

Tv Klan