Marrëdhënia e nxënësve me mësuesit vitet e fundit ka ndryshuar shumë. Po ashtu, edhe figura dhe roli i mësuesit nuk është më i njeti në shoqërinë shqiptare, i cili dikur konsiderohej si një prind i dytë. Dhuna fizike dhe ajo psikologjike që shpeshherë raportohet se vuajnë nxënësit nga mësuesit, ndodh edhe anasjelltas. Janë të shumtë mësuesit që vuajnë presionin që u bëhet nga nxënësit.

Arsimtarët shprehen se marrëdhënia me ta ka ndryshuar, për shkak edhe të disa faktorëve socialë.

“Në këtë periudhë është shumë e vështirë për të punuar me nxënësit. Arsyet janë shumë të thjeshta. Vite më parë familjet kanë qenë më të konsoliduara. Me ardhjen e demokracisë, familjet shqiptare kanë pasur problematika të ndryshme, për shembull, në shkollën tonë kemi raste të familjeve që janë me probleme të divorcuar. Këto janë arsyet që sot është kjo situatë në shkollat shqiptare.”

Sipas saj, çelësi për të patur marrëdhënie të mirë më nxënësit janë ndërtimi i urave të komunikimit, si dhe përfshirja e prindërve.

“Duke e bërë prindin e ndërgjegjësuar për detyrat që ka në lidhje me shkollën. Përveç të drejtave ka edhe detyra. Kemi bërë identifikimin e këtyre nëpër klasa dhe kemi arritur duke i aktivizuar këta fëmijë në aktivitetet të ndryshme.”

Pavarësisht problemeve që ka në arsimin shqiptar, ajo thekson se nëse një mësues është i aftë profesionalisht dhe me formim të plotë pedagogjik, arrin të krijoi marrdhënie të mira me çdo lloj nxënësi.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Ermelinda Hoxhaj