Nga Kuçova, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta theksoi rëndësinë e angazhimit të të gjithë politikanëve, drejtuesve të forcave kryesore politike në Parlament për të krijuar klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të respektuar të drejtën që ka çdo qytetar për të votuar në mënyrë të barabartë. Kjo sipas Metës kërkon vullnet dhe dialog politik,  mirëkuptim dhe përgjegjshmëri.

I pyetur për deklaratat e kreut të opozitës Lulzim Basha, për atë çfarë ai ka shprehur nga çadra, Meta tha se çadra nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, aq më tepër për zgjedhje. Megjithatë Kryeparlamentari theksoi domosdosshmërinë e dialogut për këtë çështje dhe mundësisht në ditët që vijnë, pasi sipas tij, çdo vonesë çon në një drejtim të paditur.

Prononcimi i plotë për mediat: 

Si i parashikoni zgjedhjet që vijnë, në koalicion, apo do të dilni si forcë e vetme?

“Së pari, sot ka qenë një ditë e mrekulleshme këtu në Kuçovë, me të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti me tradita dhe paqedashës dhe në këtë drejtim dua të theksoj rëndësinë e angazhimit tonë të të gjithë politikanëve, drejtuesve të forcave kryesore politike në Parlament për të krijuar klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të respektuar atë të drejtë kushtetuese që ka çdo qytetar i Shqipërisë për të votuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, për të shprehur vullnetin e tij për të ardhmen e Kuçovës dhe të gjithë Shqipërisë dhe natyrisht që kjo thjesht kërkon vullnet politik dhe dialog politik, kërkon mirëkuptim dhe përgjegjshmëri dhe kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër”.

A do të ketë përzgjedhje të emrave të deputeteve, pasi shumë kanë qenë edhe të përfolur në media.

“Ky do të jetë një proces tepër transparent për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por është mjaft e rëndësishme që të gjithë forcat politike të shprehin vullnet maksimal për të zbatuar, e jo për të penguar apo zvarritur procesin e dekriminalizimit. Ky është një proces jetik për kredibilitetin e zgjedhjeve të ardhshme, për standardin e këtyre zgjedhjeve, pasi dihet që Parlamenti që po mbyll këtë legjislaturë, këtë mandat, pati probleme të rëndësishme dhe shqetësuese, të cilat shpesh tërhoqën vëmendjen nga çështjet, nga reformat, duke shpenzuar shumë më tepër energji për këto çështjet që nuk i bëjnë nder as politikës, as përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë, kështu që LSI është tepër e vendosur për ta zbatuar këtë proces të dekriminalizimit dhe beson dhe shpreson që të gjitha forcat politike ta kuptojnë që një herë e mirë përfaqësimi me persona të papërshtatshëm është një fyerje për qytetarët tanë, por është edhe një dëm për besueshmërinë e politikës në publik”.

Cili do të ishte qëndrimi juaj ndaj Bashës për atë çfarë ai ka shprehur nga çadra?

“Çadra nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, aq më tepër për zgjedhjet. Është një fenomen që ka lindur që në vitin 1994 për herë të parë në Shqipërinë paspluraliste, ku në zgjedhjet e pjesshme të Libofshës u përdor shteti dhe policia për të deformuar dhe manipuluar procesin zgjedhor, një deformim dhe manipulim që u përshkallëzua edhe në zgjedhjet e mëpasshme dhe në përgjithësi në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri kemi pasur procese zgjedhore mjaft të tensionuara, të deformuara. Të mos harrojmë që në zgjedhjet e fundit në vitin 2013, KQZ-ja ishte 4 me 0 në favor të shumicës, natyrisht që kjo nuk pengoi vullnetin e shumicës së qytetarëve për të bërë ndryshimin e duhur, por të gjithë e dinë dhe e mbajnë mend që zgjedhjet u krijuan në një klime tensioni dhe natyrisht përgjegjësine kryesore e kishte Partia Demokratike, në pushtet në atë kohë. Por, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të pastrojmë një herë e përgjithmonë historinë e zgjedhjeve problematike, nga historia e Shqipërisë, sepse u bënë 26-27 vjet pluralizëm politik dhe qytetarët tanë, sidomos të rinjtë dhe të rejat tona, që kanë lindur shumica pas 90-ës, meritojnë të votojnë në një klimë krejtësisht tjetër, ku të mos diskutohet më barazia dhe shenjtëria e votës dhe është i domosdosshëm dialogu për këtë çështje dhe mundësisht në ditët që vijnë, pasi çdo vonesë na çon në një drejtim të paditur, ndërkohë që ne të gjthe e kemi bërë të qartë që i vetmi drejtim ku duam që Shqipëria të eci është ajo e integrimit evropian”.

/tvklan.al