Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar. Betohem!”

Kur kishin kaluar vetëm pak minuta nga ora 18:00 e së hënës, 48 – vjeçari Ilir Meta bëri betimin si Presidenti i ri i vendit.

Në fjalën e tij të parë si kreu i shtetit, Meta premtoi se do t’i shërbejë gjithmonë konsesusit mes palëve.

“Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.”

Megjithëse u betua përpara deputetëve që u mbaron mandati në Shtator, Meta bëri edhe një apel për opozitën e re.

“Reformat e qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm”.

Meta nuk la pa nxjerrë në pah momentin e zgjedhjes së tij kur salla ishte gjysmë bosh, pasi opozita protestonte në çadër.

“Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin”.

Përpara se të linte parlamentin për t’u nisur drejt Presidencës, Meta shtrëngoi duart me deputetë të të dy krahëve, ku ra në sy mungesa e kontakteve me Kryeministrin Rama dhe përshëndetja me ish-Kryeministrin Berisha.

Një orë më pas, Ilir Meta hyri në selinë e Presidencës ku u prit nga kreu i shtetit në largim, Bujar Nishani, me të cilin pati edhe një takim të shkurtër. Ceremonia e përurimit nisi me dorëzimin e Kushtetutës nga kreu i Gjykatës Kushtetuese.

Sërish Meta premton të punojë për dialogun dhe konsensusin politik.

“Përvoja politike më inkurajon të pohoj se gjithnjë ia ka vlejtur të bësh lëshimet dhe kompromiset e nevojshme për hir të mbarësisë kombëtare”.

Në fund, Bujar Nishani la Presidencën pa xhaketën e kryeshtetarit ndërsa Meta mori urimet e të pranishmëve, përveç përfaqësuesve të opozitës të cilët u larguan menjëherë. Meta mbajti në krah 2 vajzat dhe djalin ndërsa bashkëshportja Monika Kryemadhi qëndroi në distancë.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm krerët më të lartë të qeverisë, instituicioneve kushtetuese, trupit diplomatik, komuniteteve fetare dhe medias.    

Tv Klan