Nga Berati Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje opozitës të vijojë dialogun së pari në parlament, ku duhet të mbyllet sa më shpejt reforma zgjedhore.

“Gjej rastin edhe këtu nga Berati të theksojë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka forcimi i dialogu politik në vend, në radhë të parë në parlament për të vijuar me axhendën e reformave dhe mbi të gjitha dialogun për të mbyllur sa më shpejtë reformën zgjedhore dhe për të garantuar një klimë mirëbesimi për zgjedhjet e 18 qershorit”.

Meta tha forca e tij i mbështet kauzat për zgjedhje të lira, por sheh së pari stabilitetin e vendit.

“LSI-ja është ndeshur si askush tjetër me padrejtësitë dhe me aleancat për të deformuar votat e shqiptarëve që nga viti 2005 e në vijimësi. Por LSI në politikë ka qenë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit të vendit dhe vazhdon të fuqizohet si një faktor i tillë”.

Meta kërkoi që Kodi Zgjedhor të ndryshojë për të lejuar kandidimin me lista të hapura që sipas tij shqiptarët të zgjedhin mes kandidatëve./Tv Klan