Në tryezën e partive parlamentare të thirrur nga kryeparlamentari Meta pasditen e të mërkurës u ulën vetëm partitë e maxhorancës dhe Ben Blushi i Libras, ndërsa opozita e refuzoi atë, sa kohë që sipas saj nuk ka një axhendë konkrete mbi të cilën palët do të diskutojnë.

Ilir Meta pas takimit tha se mbetet i bindur për të pritur opozitën, si për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare, ashtu dhe zgjedhjes së presidentit.

Taulant Balla, i cili së bashku me Gramoz Ruçin përfaqësuan PS në këtë takim në mungesë të Edi Ramës, i cili ishte në një takim elektoral në Korçë, tha se opozita vazhdon të refuzojë çdo ofertë të maxhorancës sepse nuk do vetting -un.

Në tryezë është diskutuar dhe nevoja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku përveç rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODHIR, është propozuar dhe ndryshimi i afateve për regjistrimin e partive dhe koalicioneve në zgjedhje, nga 60 ditë që janë në Kodin aktual, të bëhen në 30 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

Ilir Meta tha se këto ndryshime janë të nevojshëm të bëhen sa më shpejt, por nuk u shpreh qartë nëse maxhoranca do t’i votojë ato në kushtet kur Lulzim Basha është i bindur për të mos u rikthyer në parlament.

Ndërsa Taulant Balla thotë se ndryshimet mund të bëhen vetëm nëse i pranon dhe arbitri i gjithëpranuar OSBE/ODHIR.

PDIU dhe Libra u shprehën dakort për përmirësimet në Kodin Zgjedhor që garantojnë që votat e tyre do të numërohen ndershmërisht.

Tv Klan