Presidenti e zgjedhur, Ilir Meta, vazhdon takimet me mbështetësit e partisë së tij dhe në njërin prej tyre, në zonën e Kombinatit, ai ka shprehur shqetësimin për impaktin që ka filluar të ndihet në ekonomi nga kriza politike. Sektori që është prekur direkt sipas tij, është turizmi.

“Dje takova një drejtues të një agjencie turistike dhe me shumë shqetësim më thotë: Çfarë po ndodh kështu? Kisha 7 grupe turistike nga Spanja që kishin bërë rezervimet për të ardhur për sezonin turistik. Gjashtë grupe i kanë anuluar deri tani rezervimet. Ky është një shqetësim real që ka të bëjë me perspektivën e një sektori me të cilin jetojnë mijëra e mijëra familje shqiptare në të gjithë vendin, në bregdet apo edhe në mal. Ky është një shqetësim serioz, sepse nuk ka të bëjë vetëm me turizmin, ka të bëjë me investimet. Kur një turist frenohet për të ardhur në Shqipëri për shkak të një lajmi që sjell pasiguri për të kaluar disa ditë pushime, si mund të vijë një investitor i huaj të marrë kredi dhe të bëjë investime në Shqipëri. Të gjitha këto janë kosto që i paguajnë familjet shqiptare”.

Kandidatet për deputet të LSI-së vazhdojnë të përsërisin se zgjidhja e vetme për Shqiperinë eshtë që kjo forcë të dalë e parë në zgjedhjet parlamentare./Tv Klan