Meta-1I akuzuar nga Deputeti Tom Doshi si porositësi i një atentati ndaj tij dhe Deputetit Mhill Fufi, sot një ditë më pas Kryetari i Kuvendit u shfaq përpara mediave i qeshur, i qetë dhe aspak i suprizuar siç u shpreh ndaj deklaratave të Doshit.

Njësoj si kreu i Komisionit Parlamentar të Sigurisë në deklaratën e bërë një ditë më parë, Ilir Meta pranoi se ishte informuar nga Doshi mbi një histori atentatesh 5 muaj më parë, por varianti që i ishte rrëfyer atij nga Deputeti i Shkodrës, ishte ai që porositësi kishte qenë kunati i ish- Kryeministrit Berisha.

Meta tha se kishte qenë i shqetësuar për jetën e dy Deputetëve dhe kishte kërkuar një hetim të plotë por sipas tij penguesi i vetëm i këtyre hetimeve është vetë Doshi.

Nga ana tjetër, Kreu i Kuvendit këshilloi Kreun e Opozitës të jetë i kujdesshëm me deklaratat e tij.

Ilir Meta la të kuptohej se akuzat në adresë të tij Doshi i kishte bërë si një reagim impulsiv pas vendimit të Grupit Parlamentar Socialist për ta përjashtuar, vendim për të cilin tha se e përshëndet.

Por teksa deklaroi se ky vendim për largimin e Doshit i jepte një goditje politikës së shantazhit dhe përbaltjes, Meta nuk pranoi të përgjigjet nëse do të veprojë si Kryeministri Rama duke bërë padi penale ndaj akuzuesit të tij.

Tv Klan