Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranon se Shqipëria është në monitorim nga Bashkimi Europian për të parë ecurinë e lëvizjes së qytetarëve të saj në zonën Shengen.

I ftuar të mbajë një fjalë përpara diplomatëve tanë në botë, një aktivitet 2 ditor i organizuar nga Ministria e Jashtme, iu përgjigj kërkesave të shumta nga Kosova për marrje të pasaportës shqiptare për të përfituar lëvizjen e lirë.

Besoj se edhe ju e ndieni atë presion që ndiejmë ne këtu me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo këtë izolim përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga shqiptarët e Kosovës. Gjë që nuk është zgjidhje, jo për shkak të mungesës së dëshirës sonë, por për shkak se ne vetë jemi nën monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e Bashkimit Evropian dhe të zonës Shengen dhe çdo veprim emocional jo vetëm që nuk do të zgjidhte çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të bllokonte edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.

Deklarata e kreut të shtetit vjen edhe si një përgjigje e thirrjes që homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi i bëri Metës për të pajisur me pasaporta shqiptare shtetasit e Kosovës, për të përfituar lëvizjen e lirë.

Aktualisht Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka përfituar ende nga politikat europiane të liberalizimit të vizave.

Tv Klan