Negociatat e anëtarësimit në BE, sipas Presidentit të Republikës, Ilir Meta duhet të shërbejnë si një test sfidues për bizneset dhe produktet “Made in Albania” përballë konkurrencës dhe disiplinës së tregut europian. I ftuar të jetë pjesë e një takimi të prodhueseve më të mëdhenj vendas, si pjesë e axhendës për vitin e Skënderbeut, kreu i shtetit nënvizon nevojën e informimit të qartë si për qytetarët ashtu dhe bizneset për çka përfitohet dhe çka humbet nga ky proces i anëtarësimit. Ndërsa ajo që i nevojitet politikës, thotë ai, është të jetë në të njëjtën linjë.

Meta thotë se duhet konsensus mbarë kombëtar politik për modelin e zhvillimit ekonomik që duhet të mbështesë vendi, ndërsa mbështet idenë se kërkohet një marketing i zgjuar për të ndërkombëtarizuar markat “Made in Albania” në tregun rajonal dhe atë botëror.

Në fund, Presidenti, ashtu si dhe në çeljen e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut zgjodhi të recitojë vargjet e poetit amerikan Henry Longfellow, kushtuar heroit tonë kombëtar.

Tv Klan