Një ditë pas zgjedhjes si President i Republikës, Ilir Meta thotë se do të marrë rolin e ndërmjetësit për zgjidhjen e situatës politike në vend, por pa anashkaluar presidentin në detyrë Bujar Nishani. Në funksion të gjetjes së një zgjidhje Meta nuk përjashtoi një takim me Lulzim Bashën, por dhe me aktorë të tjerë brenda dhe jashtë skenës politike.

Do përpiqem të takohem me kreun Basha në çdo moment kur mos të jem më kryetar i LSI dhe të forcoj bashkëpunimin me presidentin Nishanin dhe opozitën, kryeministrin dhe drejtues të tjerë për të kontribuar që vendi sa me shpejt të këtë proces normal dhe gjithepërfshirës zgjedhor

”.

Siç bëri me dije më vonë nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas rolit të tij negociator nuk qëndron ndonjë propozim i ri, por marrëveshja e propozuar nga përfaqësuesit e PPE-së dhe Bashkimit Evropian dhe përpjekja për të bindur Partinë Demokratike ta pranojë. E rëndësishme sipas Metës është të shmanget çdo përshkallëzim i situatës.

Jam për të bërë çdo përpjekje, çdo investim që ne të evitojmë një përkeqësim të situatës politike në vend dhe vërtetë të krijoj atë klimë konstruktive, normaliteti, demokratike që ka nevojë vendi dhe që kanë nevojë zgjedhjet në mënyrë që të kemi një legjitimitet të fuqishëm të institucioneve të ardhshme”.

Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e kryetarit te kuvendit, deri në 24 korrik, ditën kur do të betohet si President i Republikës. Por sipas tij edhe ceremonitë do të kushtëzohen nga prania ose jo e opozitës në sallën e kuvendit.

“ Në 24 korrik padyshim do të respektojmë ceremoninë e betimit sipas të gjithë rregullave protokollare, por nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, natyrisht që nuk do të ketë asnjë ceremoni tjetër dhe as kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që opozita të marrë pjesë në zgjedhje dhe opozita gjithashtu të kontribuojë në mënyrë bashkëpunuese në orët dhe në ditët që vijnë”.

Nuk harroi të falënderojë edhe njëherë presidentin në detyrë Bujar Nishanin për urimet që i përcolli, ndërsa për mungesën e ambasadorëve në seancë fajësoi veten.

 

“Falënderoj Nishanin për telefonatën dhe mesazhin, e siguroj për konsideratën time më të lartë”.

Sa për Zonjën e parë vështirë do ta ketë ta bindë Monika Kryemadhin të heqë dorë nga mandati i deputetes.

“ Atë e kam jashtë kontrollit ..”

Tv Klan