Në vijim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua sot me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryemininstrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dalibor Jevtiq dhe Dardan Gashi.

Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore, Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që këto marrëdhënie të pasurohen më shumë dhe çështjet e prekshme e konkrete të gjejnë zgjidhje për qytetarët e të dy shteteve veçanërisht nëpërmjet agjendës së përbashkët të dy qeverive, duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike ndërmjet dy vendeve tona

Në një njoftim nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se, Meta theksoi rëndësinë e trajtimit të të gjitha çështjeve dypalëshe, të cilat mund të marrin udhë përmes vendimmarrjes politike gjatë takimit të ardhshëm të dy qeverive.

Ai u shpreh plotësisht në mbështetje të këtij procesi me rëndësi jetike si për qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë, ashtu edhe në dobi të marrëdhënieve strategjike e vëllazërore ndërmjet nesh.

Gjithashtu, Presidenti e siguroi edhe Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e fortë e të gjithanshmme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizava nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës dhe, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionint të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende por edhe për të gjithë rajonin sigurinë dhe të ardhmen e tij.

Presidenti Meta takohet me Kryparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua edhe me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.

Meta e përgëzoi zotin Veseli për rizgjedhjen në postin e Kryeparlamentarit të Kosovës dhe shprehu besimin se projektet e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do të vijojnë sipas frymës së shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore.

Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe dhe shoqëria e saj, si liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, demarkacioni me Malin e Zi dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqëndrohen në mënyrë gjithpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe mbështetjen e iniciativave të ndryshme në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike të vendit.

Presidenti Meta e siguroi Kryeparlamentarin Veseli për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme e të gjithanshme të Shqipërisë ndaj agjendës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimit të saj të plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për agjendën e përbashkët të dy qeverive dhe përgatitjen për takimin e radhës, duke shprehur besimin se ky takim do të konkretizohet me projekte zhvillimore infrastrukturore, por edhe të veprimit të përbashkët diplomatik.

/tvklan.al