I ftuar këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë”, në Televizionin Klan, për të folur për aktualitetin politik të javës Kreu i Kuvendit në detyrë, njëkohësisht Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta tha se LSI është e vendosur për të dalë forcë e parë në zgjedhje.

Ai komentoi edhe marrëveshjen e arritur mes mazhorancës dhe opozitës. Teksa e konsideroi diçka shumë të mirë tërheqjen e kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe pranimit të paktës “McAllister Plus”, ai listoi edhe disa prej arsyeve, që sipas tij, bënë që Basha të merrte një vendim të tillë.

“Bëri shumë mirë që u tërhoq. Në fakt duhet të ishte tërhequr muaj më parë, por më mirë vonë se kurrë. Përveç faktorit ndërkombëtar dhe mesazhit të SHBA, kanë qenë partitë aleate, të cilat ishin shumë realiste. Iu dha garanci si asnjëherë më parë dhe natyrisht kjo krizë natyrisht nuk mund të çohej më tej një krizë që mund të çonte në pasoja të paparashikueshme.”

I pyetur për krahasimin që shumë i bëjnë kësaj marrëveshjeje me atë të 2008 -ës, “Rama – Berisha”, Meta theksoi se nëse kjo e fundit u përjetua si tragjedi, marrëveshja e sotme përjetohet si komedi.

Historia nuk përsëritet dy herë njësoj, nëse në 2008 u përjetua si tragjedi, tani përjetohet si komedi. LSI nuk dëmtohet nga çdolloj manovre për çështjen e koalicioneve, për arsye se të gjitha forcat politike të garojnë në mënyrë të barabartë dhe LSI ndihet tepër e sigurtë për të dalë forcë e parë në këto zgjedhje. Ndoshta dëmtohen disa parti të reja”.

Më tej Meta tha se pas marrëveshjes gara është bërë më demokratike dhe sipas tij do të ketë surpriza.

I pyetur nga Arian Çani për deklaratën që Kryeministri Edi Rama bëri gjatë pasdites në Korçë, ku tha se PS do të marrë më shumë se 71 deputetë, Meta, duke qeshur tha se 71 vota PS i merr bashkë me PD.

“71 me gjithë PD”,

tha Meta. Kjo bëri që Çani t’i kërkonte që ta përsëriste deklaratën, por kryeparlamentari u shpreh se ishte thjeshtë një shaka./tvklan.al