MetaSi për të treguar se pavarësisht nga detyra që kanë respektojnë institucionet dhe drejtësinë, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë paraqitur me rradhë njëri pas tjetrit Kryetari i Kuvendit Meta, Ministri i Brendshëm Tahiri, Kryeministri Edi Rama dhe Deputeti i mazhorancës Mark Frroku.

Kryetari i Kuvendit, Meta mbërriti rreth orës 8 në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai ka dëshmuar në statusin e personit që ka dijeni, në lidhje me akuzat e Tom Doshit se ka qenë ai që ka paguar për ta eliminuar fizikisht Deputetin e Shkodrës dhe kolegun e tij demokrat Mhill Fufi.

Për afro 1 orë e gjysmë, pasi ka dhënë deklaratën e tij dhe u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, Meta doli nga Prokuroria dhe tha për mediat se është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë edhe pse dëshminë e Durim Bamit në videon e Tom Doshit nuk e konsideron si provë.

Kërkesës së opozitës për të dhënë dorëheqjen, i kujtoi si kishte vepruar Kryetari i saj, Lulzim Basha, në rastin kur u akuzua nga dy institucione për korrupsion në lidhje me rrugën Durrës – Kukës.

Pak minuta pas tij, në Prokurori mbërriti Ministri i Brendshëm, i cili qëndroi në ambientet e saj rreth 3 orë e gjysmë.

Kryeministri Rama u paraqit fiks në orën 12, siç e kishte lajmëruar. Pas dëshmisë që zgjati rreth 1 orë e gjysmë, Rama në një fjalim të përgatitur foli për një farsë dhe për respektimin e institucioneve të drejtësisë pavarësisht nga pushteti që gëzojnë zyrtarët.

I përfshirë në këtë ngjarje, Deputeti Mark Frroku, pasi foli me prokurorët preferoi të largohet nga dalja e pasme e ndërtesës.

Prokuroria bëri me dije se në listën e atyre që do të thirren për të dëshmuar për këtë ëështje, do të përfshihen edhe persona të tjerë.

Tv Klan