Nga Berati Ilir Meta akuzoi Kryeministrin Rama se në 4 vjet të qeverisjes e përdori shtetin për t’u shërbyer oligarkëve dhe për të fshirë borxhet e tyre në OSHEE dhe tatime.

“Gjatë këtyre katër viteve ne pamë jo se si bëhet shteti, por pamë se si bëhet qameti, se si përdoret policia, presioni, shantazhi, dhuna, burgosja ndaj të vobektëve, të cilët nuk kanë paguar dritat. Por, nga ana tjetër, kemi parë se si bëhen akte ligjore dhe nënligjore që oligarkët të fshijnë malet e borxheve që kanë ndaj OSHEE-së dhe ndaj Tatimeve. Ne pamë se si në katër vjet hendeku social dhe padrejtësia sociale është shtuar në këtë vend”, u shpreh ish-kreu i LSI.

Meta tha se në katër vjet Rama u ktheu kurrizin socialistëve sapo mori votat dhe u vu në shërbim të 6 oligarkëve, të cilët drejtonin e qeverinë e Sali Berishës me vendimet që impononin. Ai u bëri thirrje socialistëve të votojnë LSI-në në 25 qeshor.

“Kreu i Rilindjes zgjodhi vendin më të gabuar për të sulmuar pabesisht LSI-në dhe njëkohësisht për të provokuar përçarjen e të majtës që e ka bërë edhe herë të tjera. Dhe unë po i them se më 25 qershor të gjithë socialistët, të cilët u injoruan, të cilët u poshtëruan nga Rilindja e kanë alternativën e tyre, duke votuar LSI-në votojnë për bashkimin e të majtës”, tha ai.

Meta i bëri thirrje Policisë dhe të gjithë atyre që sipas tij  kanë ardhur me ide dhe me porosi që të shkrijnë LSI-në të mos prekin votën më 25 Qershor. TV KLAN