Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka sqaruar se për miratimin e projektligjit të vettingut do të respektohen afatet kushtetuese dhe ato parlamentare. Meta tha se deri në 11 Gusht nuk do të ketë seancë plenare, ndërsa konfirmoi se këto janë ditë diskutimesh mes tij, Kryetarit të Komisionit të Reformës Xhafaj, Nënkryetarit Bylykbashi dhe dy ambasadorëve Lu e Vlahutin.

Por miratimi i paketës së ndryshimeve kushtetutese nuk mjafton që Shqipëria të marrë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave. Për këtë arsye, Meta thotë se komisioni duhet të ketë një axhendë të qartë edhe për miratimin e 7 ligjeve, që e bëjnë efektive Reformën në Drejtësi.

Këtë deklaratë, kreu i Kuvendit e bëri pas një takimi që pati me Ambasadoren e Gjermanisë, ndërsa më herët u takua me Ambasadoren e Bashkimit Europian, Vlahutin. Meta zhvilloi një takim edhe me Ambasadorin amerikan Donald Lu.

Tv Klan