Presidenti Ilir Meta, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, organizoi një pritje me fëmijë dhe të rinj jetimë, në kuadër të 20 majit, “Dita Kombëtare e Jetimëve”.

Meta zhvilloi një bisedë të ngrohtë me fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm, duke ju shprehur mbështetjen e tij të pakursyer, teksa vlerësoi edhe sloganin që kishin zgjedhur: ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’.

Kreu i Shtetit tha se që kur ka marrë detyrën si President i Republikës e ka bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta u shpreh:

“Që kur kam marrë detyrën si President i Republikës e kam bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar. Ju me të drejtë keni sjellë me vete edhe sloganin ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’. Besoj që kjo është një gjetje shumë domethënëse dhe e mençur.

Ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Evropian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian.

Natyrisht që BE ka parime shumë të rëndësishme demokratike, shoqërore, njerëzore, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me integrimin shoqëror dhe me detyrimin e shoqërisë për t’u kujdesur për çdo individ, aq më tepër për çdo fëmijë.

Është e rëndësishme që të shohim modelet më të mira, të cilat vijnë nga kjo përvojë dhe ne kemi pasur rastin gjatë nëntorit të kaluar të organizojmë një javë në solidaritet me fëmijët jetimë, me shumë aktivitete të ndryshme, ku kishim ftuar edhe personalitete të shquar të shoqërisë, të kombit, të kulturës, të sportit, të shkencës, të cilët në të kaluarën kanë qenë fëmijë jetimë, ndërsa falë karrierës së tyre janë tashmë një frymëzim për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar.

Besoj se këto shembuj duhen patur në konsideratë, pasi është tepër e rëndësishme që ju, jo vetëm të mos ndiheni të përjashtuar, por secili prej jush sipas prirjes dhe aftësisë të synojë të shkëlqejë në çdo fushë ku ka një prirje.

Puna që është bërë gjatë këtyre viteve në mbështetjen dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë ka qenë një punë e mirë, me përkushtim, me modele shumë pozitive, të cilat tregojnë që ne jemi një shoqëri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi sociale por që ka ende nevojë ta forcojë këtë dimension social dhe njerëzor.

Sigurisht, që duhet të marrim më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurtë, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t’i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis./tvklan.al