Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me të rinjtë e LRI-së në një Njësinë administrative nr. 10 në Tiranë. Të pranishëm ishin edhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, Kryetari i LSI-së Tiranë, Endrit Braimllari, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, etj.

Duke iu drejtuar të rinjve, Ilir Meta u shpreh se suksesi më i madh është që ëndrrën ta realizojnë në vendin e tyre dhe të ndryshojnë të ardhmen e vendit, familjes, të komunitetit dhe shoqërisë.

“Nuk ka forcë më të madhe se sa kur rinia e kupton se çfarë përfaqëson, e kupton që vetëm e bashkuar mund të jetë ajo fuqi ndryshimi që garanton të ardhmen e saj, por edhe të familjeve të gjithë të rinjve dhe të rejave, të familjeve që keni sot, por edhe të familjeve që do të krijoni nesër”, –

deklaroi Kryetari i LSI-së, duke shprehur bindjen se përqendrimi në çështjet dhe tematikat që u interesojnë më shumë të rinjve si edhe edukimi i duhur do të sjellin në të ardhmen vende pune më të mirëpaguara.

“Një edukim më i mirë do të thotë edhe një punë më e mirëpaguar, do të thotë edhe një mundësi edhe për të përballuar kostot e jetesës që në Tiranë janë më të larta se në rajone të tjera të vendit. Do të thotë edhe një familje e lumtur, do të thotë edhe një perspektivë për të krijuar familje të lumtura dhe të shëndetshme në të ardhmen”,

– tha. Meta.

Gjithashtu, Kryetar i LSI-së e vlerësoi LRI-në si një model të ri në gjithë politikën shqiptare dhe një model frymëzues për të gjithë organizatat e tjera rinore./tvklan.al