Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës së re të Çekrezës në Njësinë Administrative Zall Herr.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, Meta vlerësoi punën e bërë nga Bashkia e Tiranës si edhe integrimin e gjithë njësive administrative jashtë Bashkisë së vjetër të Tiranës. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u shpreh se kudo të ndjehet ndryshimi dhe njerëzit të prekin në realitet efektet e reformës administrative dhe territoriale.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse është një reformë madhore, një reformë historike. Janë disa reforma që janë në interes të gjithë qytetarëve. Nuk njohin as të majtë, as të djathtë, por që njohin progres, standarde të reja, shërbime të reja dhe që sjellin më shumë parqe sociale, mirëkuptim brenda komuniteteve edhe kudo”

,  tha Meta, duke shtuar se politika duhet të flasë me punë e vepra dhe se ka nevojë për ura bashkëpunimi e jo për përçarje.

“Dikush më tha aty kur hymë tek ura se këtu ndahemi me Xhelal Mziun, ngaqë më tutje është Bashkia e Kamzës. Unë nuk e prisja kurrë këtë ide që po ndahemi. Këtu bashkohemi se prandaj është ura, i thashë, për të bashkuar. Të gjithë për bashkimin jemi, nuk ka asnjë për përçarje. Por ka shumë rëndësi edhe sesi flasim, sepse shqiptarët nuk janë edhe kaq modern, trendi si Lali Eri, janë pak tradicional, kemi një fjalë ne që jemi si malësor nga veriu apo jugu: “Fjala vret më shumë se plumbi”. Dhe ne fjalën e fundit e themi të parën. Jo, ne politikanët duhet të flasim me vepra, siç flet edhe kjo vepër sot dhe unë sot

”, – tha Ilir Meta

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se falë reformës territoriale, është bërë e mundur realizimi i një sërë investimesh të rëndësishme jo vetëm në zonat urbane, por edhe në zonat rurale.

“Unë besoj që pavarësisht rritjes së zonës, disa zona si Krraba, Zall-Herri, Shëngjergji Peza, Ndroqi, Vaqarri do ta kishin të pamundur që vetëm me paratë e komunës, që janë taksa shumë modeste që mezi paguajnë rrogat administratës të bënin këto investime”

, tha ai duke shtuar se nuk do të ketë asnjë dallim në shpërndarjen e investimeve midis qendrës dhe zonave rurale.

“Nuk duhet kurrsesi që ne të fokusohemi tek sheshi Skënderbej, tek stadium Qemal Stafa, Pazari i Ri, bulevardi i ri dhe pastaj të harrojmë që njerëzit në fakt nuk jetojnë në shesh, nuk jetojnë në bulevard, nuk jetojnë tek Pazari i Ri, njerëzit jetojnë në fshatra si Çekrez, Kasalla, dhe kjo është arsyeja pse po i bëjmë këto investime. Unë jam këtu sot bashkë me kryetarin e Kuvendit edhe si dëshmi e një fakti që kur ne jemi bashkë bëjmë gjëra që veç e veç janë të pamundura”,

tha Veliaj./tvklan.al