Me mijëra persona manifestuan në sheshet kryesore të Madridit në mbështetje të unitetit kombëtar, Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës në Spanjë.

Me flamuj të Spanjës në duar dhe me parrulla ku ftoheshin për dialog, protestuesit bënin thirrje për një Spanjë të bashkuar. Spanja është më e mirë se liderët e saj, “Le të flasim”, ishin disa nga parrullat e protestuesve.

Manifestime të ngjashme kundër përçarjes së vendit, u organizuan edhe në disa qytete të tjera spanjolle, përfshirë edhe kryqytetin katalanas Barcelonën.

Ndërkohë Madridi zyrtar urdhëroi dërgimin e forcave speciale të policisë në infrastrukturat strategjike në Katalonjë, si aeroporti El Prat, nga frika e shpalljes së mundshme të pavarësisë nga ana e rajonit.

Dëshira për pavarësi e Katalonjës nga ana tjetër ka trembur shumë investitorë. Janë të shumta sipërmarrjet që po përgatiten të spostojnë selitë e tyre jashtë Katalonjës, kjo falë një projektligji të ri të qeverisë spanjolle, që nxit kompanitë të zhvendosen pa pasoja fiskale. Alrmi për situatën ekonomike erdhi edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që paralajmëroi se nëse kriza në rajonin e pasur do të vazhdojë, do të ketë rreziqe serioze për ekonominë e Spanjës.

Tv Klan