Dy humbjet në dy ndeshjet e fundit në kampionat përballë rivalëve direkt si Roma dhe Inter, dhe barazimi në ndeshjen e Europa Leauge përballë AEK-ut të Athinës kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Montella në stolin e Milanit

Edhe pse gjatë verës u shpenzuan shumë për të ngritur një ekip kompetitiv, kuqezinjtë akoma nuk kanë arritur të krijojnë identitetin e tyre.

Problemet më të madha për ekipin e drejtuar nga Montela fillojnë që nga mbrojtja, pasi në 10 javë të luajtura në kampionat numërojnë 12 gola të pësuar, që janë vërtetë shumë për një ekip që synon të renditet mes tre më të mirave.

Problem tjetër është edhe vendosja taktike e ekipit. Kujtojmë që ata nuk kanë arritur të gjejnë një modul fiks më të cilin të luajnë.

Në ndeshjen ndaj Interit ekipi u vendos  me rreshtimin 3-5-2, përballë AEK-ut luajti me modulin 4-4-2 ndërsa kanë provuar të luajnë edhe me 4-3-3.

Mediat italiane kanë shkuar edhe më tej duke hamendësuar edhe për zëvendësuesin e mundshëm të Montellas. Sipas tyre janë disa emra që shihen si më të mundshmit për të marrë drejtimin e kuq e zinjve. Në krye të listës është Gatuso, ndërsa është përfolur edhe emri i Van Basten, Laurent Blanc si dhe ai i ish-trajnerit të Barcelonës Luis Enrique.

Burimi: Klan Plus