UEFA nuk pranoi kërkesën e Milanit për mënyrën se si do të kalojë krizën e borxheve. Në vendimin e publikuar thuhet se ka paqartësi për planin e propozuar nga klubi. Vendimi i paralajmëruar nga mediat italiane para disa ditësh u zyrtarizua të premten nga qeveria e futbolli europian. Zyrtarë të Milanit thanë se ishte një vendim i pritshëm pasi UEFA vendosi kushte të papërballueshme.

Marco Fassone, administrator i Milan:

“Na vendosën kushte që asnjë klub dhe jo vetëm një në pozitat tona do të ishte gati t’i përmbushte. Kërkuan një garanci bankare për borxhet që asnjë klub nuk mund ta mbulojë”.

Milani ka trashëguar borxhe nga e kaluara që ndikojnë në bilancin e klubit. Një nga ekipet me më shumë trofe në botë ka vendosur të mos jetë pjesë e merkatos së Janarit, si në afrime dhe në largime. UEFA në njoftimin e saj bën të ditur se do të monitorojë zhvillimet në klubin italian në muajt në vijim. Milani rrezikon penalitete, nëse nuk gjen mënyrën për të dalë nga kriza. Mediat shkruajnë se ai do të pranojë një marrëveshje me UEFA-n që nënkupton gjoba, ulje të shpenzimeve, bllokim të merkatos dhe tavan për pagat.   

Tv Klan