Milan u rikthye i dikurshmi në Europë duke fituar bindshëm 5 – 1 përballjen e parë në grup me Austria Viena.

Një zotërim i ekipit italian që mungonte prej 3 vitesh në arenën kontinentale. Vincenzo Montella ka një grup të ndryshuar me shumë elementë të rinj, të cilët u shfaqën protagonistë në përballjen e Europa League, të luajtur të enjten në stadiumin “Ernst Happel”.

Ai që spikati mbi të gjithë ishte Andre Silva, i cili shënoi 3 gola, duke dhënë spektakël. Nisje e mbarë edhe për Arsenal që mundi 3 – 1 Kolnin. Në ndeshjen që filloi me 1 orë vonesë, pasi kishte më shumë tifozë gjermanë se vende për ta në stadium, ekipi anglez fillimisht pësoi.

Pjesa e parë përfundoi me Koln në avantazh, por Arsenal përmbysi gjithçka në të dytën. Një nisje me fitore për Atalanta e Etrit Berishës i cili e mbajti portën e paprekur. Skuadra italiane mundi 3 – 0 Everton. Festë edhe për Lazio e Thomas Strakoshës që mundi 3 – 2 me përmbysje Vitesse. Lyon u befasua nga Apollon Limasol, që arriti barazimin 1 – 1 në fund të takimit./Tv Klan