Shteti Islamik mori përsipër sulmin ndaj një kishe në Francë, ku dy militantë xhihadistë i prenë fytin një prifti 84-vjeçar. Përmes një komunikate në faqen zyrtare të agjencisë xhihadiste, ISIS njoftoi se sulmi u krye nga dy ushtarë të kalifatit.

Nën kërcënimin e armëve të ftohta, ata morën peng 5 persona, në një kishë në Saint – Etienne du Rouvray, në veri të Francës, gjatë meshës së mëngjesit. Përveç priftit që u ekzekutua nga terroristët, mbeti e plagosur rëndë një grua. Policia ndërhyri duke i eliminuar të dy xhihadistët.

Ajo që në fillim u raportua si vepër e dy të çekuilibruarve, rezultoi se ishte një sulm terrorist i natyrës islamike. Mediat vendase shkruajnë se terroristët hynë në kishë dukë thërritur “Daesh”, që është edhe akronimi në arabisht i ISIS. Televizioni francez iTélé raporton se njëri prej autorëve të sulmit kishte tentuar të nisej në Siri në Maj të 2015 -ës, për të luftuar përkrah Shtetit Islamik. Ai kishte arritur të shkonte deri në Turqi, por ishte kthyer mbrapsht në Francë dhe ishte arrestuar.

Presidenti francez François Hollande, e cilësoi aktin si një veprim frikacakësh dhe nënvizoi se Franca do të luftojë Shtetin Islamik me të gjitha mjetet.

Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë nga masakra e Nisës, ku humbën jetën 84 persona. Franca ndodhet në gjendje të jazhtëzakonshme që zgjat që prej sulmit terrorist të 13 Nëntorit të kaluar, ku u vranë 130 persona. Masa e sigurisë do të vijojë të paktën deri Janarin e ardhshëm.

Tv Klan