Kodheli

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli vazhdon të heshtë rreth përdorimit të helikopterëve të Forcave të Armatosura në aksionet policore anti-drogë në Lazarat dhe Dukagjin.

Edhe pse kanë kaluar tetë ditë që kur Redaksia e Informacionit të TV Klan, dorëzoi shkresën zyrtare pranë zëdhënesit të dikasterit të mbrojtjes, për të marrë informacion mbi çbazë ligjorë është lejuar përdorimi i mjeteve dhe Forcave të Ushtrisë në aksione të rrezikshme policore, sërish edhe sot asnjë e dhënë zyrtare nuk është bërë publike.

Edhe sot, znj.Kodheli i është shmangur dhënies së përgjigjes për këtë çështje.

E drejta për Informimin për dokumentat zyrtare, rregullohet nga një ligj i veçantë dhe pikërisht Ligji nr.8503 i datës 30.6.1999. 

Ky ligj rregullon të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare dhe detyrimet e autoritetit publik për këtë të drejtë.

E drejta e informimit:

Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet.

Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.

Çdo informacion për një dokument zyrtar, që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur ky informacion përbën të dhëna vetjake të vetë personit, të cilit i është dhënë informacioni.”

Por edhe nëse informacioni që ne kërkojmë të dimë prej ditësh nga znj. Kodheli dhe vartësit e saj do të prekte nenin 4 të këtij ligji, kufizimi, atëherë sërish autoriteti publik përkatës, pra Ministria e Mbrojtjes, i lëshon kërkuesit  një deklaratë me shkrim, të cilën tregohen arsyet e mosdhënies së informacionit në bazë të të cilave ai mund të kërkojë atë.

Madje, neni 7 i ligjit për të drejtën e informimit, i jep të drejtë kërkuesit të informacionit, vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumentit zyrtar, madje duke sugjeruar edhe formën e dhënies së këtij informacioni.

Por çfarë ka ndodhur?

Gjerë më tani, as Ministrja Mimi Kodheli dhe askush tjetër brenda Ministrisë së Mbrojtjes nuk pranon të verë në dispozicion të interesimit të Medias, dokumentin që i hapi rrugë vënien në dispozicion të helikopterëve dhe efektivëve të Ushtrisë në aksione të mirëfillta policore.

Ku në njërin prej tyre, atë mbi malet e Dukagjinit, helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura u qëllua me dy plumba në bord, duke rrezikuar shpërthimin në ajër me 20 efektivë të repartit RENEA në bord.

Deri më tani, Znj.Kodheli ka shkelur dy ligje.

Atë të përdorimit, instalimit dhe misionit të Forcave të Armatosura, si dhe ligjin për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare.

Nëse Ministrja i shmanget mikrofonit të televizioneve, atëherë dikush tjetër, që e ka dhe me ligj të sanksionuar të merret me zyrtare që shkelin ligjet, duhet ti kërkojë asaj llogari.

Tv Klan