Mesazhi i Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Sigmar Gabriel ishte tepër i qartë, bojkoti i parlamentit nuk është mënyra e duhur.

Zyrtari gjerman, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, në një konferencë për shtyp theksoi se askush në Europë nuk e kupton dhe nuk e pranon bojkotin e parlamentit, pak para zgjedhjeve.

Gabriel vlerësoi miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi, por u shpreh i shqetësuar për pengimin e zbatimit të saj. Sipas tij, ky bojkot në vetvete krijon përshtypjen se ata që po e pengojnë kanë frikë nga zbatimi i reformës në drejtësi.

“Shqipëria është një vend mjaft i rëndësishëm. Ne i detyrohemi respekt shumë të madh asaj çfarë është bërë gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Ne mbështesim rrugën europiane të Shqipërisë, sigurisht mbetet shumë për t’u bërë. Rëndësi ka Reforma në Drejtësi. Ndaj ne kemi qenë shumë të gëzuar që në parlamentin shqiptar, me konsensus u mundësua miratimi i ligjeve të rëndësishme. Dhe tani shikojmë dhe konstatojmë që Reforma e Drejtësisë po pengohet. Askush në Europë nuk e kupton këtë, pikërisht që parlamentarët e zgjedhur e refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament dhe në vend të kësaj, mblidhen në çadër duke bërë opozitën ndaj parlamentit. Kjo është diçka absurde që ne nuk e kuptojmë dhe nuk duam ta kuptojmë.

Cili është parimi bazë i një demokracie? Ajo që është që në bazën e Kushtetutës; Pakicat duhet të pranojnë shumicën. Të respektojnë Kushtetutën shumicat edhe pse jeni pjesë të një pakice të caktuar, sepse në demokraci do të mund të punohet për t’u bërë një shumicë. Si rasti i qeverisë aktuale. Ajo që është e pa imagjinueshme është që një pakicë nuk përpiqet ta ndryshojë gjendjen nëpërmjet zgjedhje, por nëpërmjet bojkotit. Për pasojë krijohet përshtypje që ka një lloj frikë për zbatimin e Reformës në Drejtësi”.

Gabriel kishte edhe një këshillë për opozitën.

Mendoj që anëtarët e PPE dhe PD në fund do të duhet të marrin vendimin për të vënë interesin kombëtar përpara interesave të tyre. Këshilla ime për opozitën dhe qeverisë është zbatimi i ligjeve të kushtetuese. Mosbesimi që ka për zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë kontekst duhet të bëhen propozimet e nevojshme sesi të mund të mbërrini në këtë moment, Gjermania, OSBE, BE do të duhet ndoshta të merrnim t’i shoqëronim këto zgjidhje në mënyrë me intensive nëse opozita do ta donte një gjë të tillë, por nuk mund të jetë bojkotimi zgjidhje.

/tvklan.al