Peter Altmaier

Gjermania kërkon ashpërsimin e kritereve për azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit, për të ndalur dyndjen e tyre drejt këtij vendi. Propozimi vjen nga Ministri i Shtetit pranë zyrës së kancelares, Peter Altmaier.

Deutsche Welle citon një intervistë të tij për mediat gjermane, ku Altmaier shprehet se Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi duhet të kategorizohen sa më shpejtë të jetë e mundur si vende të sigurta origjine.

Ai flet për një koncept të ri për trajtimin e kërkesave për azil nga qeveria gjermane, ku nuk ka asnjë shans që azilantët nga vendet e Ballkanit të pranohen. Në bazë të këtij koncepti, shton Altmaier, atyre duhet t’u kursehet mundimi dhe vuajtja në rrugëtimi drejt Gjermanisë.

Ministri gjerman i Shtetit thotë se është e pamundur t’u pranohen kërkesat për azil, personave që vijnë nga vende që nuk janë as në diktaturë e as në luftë, por që përgatiten të antarësohen në Bashkimin Europian.

Zyrtari i lartë gjerman thotë se prioritet për Berlinin është trajtimi i refugjatëve nga vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

Ndërsa Kryeministrja e rajonit të Rajnland Pfalcit Malu Drejer propozon përshpejtimin e procedurave për azilkërkuesit që nuk kanë asnjë perspektivë për njohjen e azilit në Gjermani, siç janë të ardhurit nga vendet e Ballkanit.

Tv Klan