Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Ambasadoren e Holandës në Shqipëri Dewi van de Weerd, e cila shoqërohej nga oficeri i kontaktit pranë misionit.

Xhafaj e njohu Ambasadoren me prioritetet e Ministrisë së Brendshme në këtë mandat qeverisës.

Mes tyre, nënvizoi procesin e Vetting-ut në Polici, luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe parandalimin e azilkërkimit.

Ministri e njohu diplomaten me një sërë masash në forcimin e regjimit kufitar. “Një tjetër masë, shtoi ministri, do të jetë forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe niveli profesional në Pikat kufitare”.

Ambasadorja vlerësoi punën e kryer si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes policive në të dy vendet. Gjithashtu ajo u shpreh e gatshme për të mbështetur prioritetet e reja të Ministrisë së Brendshme, përmes asistencës teknike dhe logjistike.

Ambasadorja shprehu besimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të ardhmen. Ajo pohoi se ka vërejtur masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për frenimin e fenomenit të azilkërkimit.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, përmes intesifikimit të shkëmbimit të informacionit.

Ambasadorja u shpreh e bindur se Vetting-u në Policinë e Shtetit do të rrisë besimin e qytetarëve.

/tvklan.al