Duke ripërsëritur qëndrimin zyrtar të mbajtur pas votimit në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por duke i dhënë përgjigje zërave që e cilësojnë të gabuar votën e Shqipërisë kundër pranimit të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zgjodhi që sqarimin e tij ta bëjë në rrjetet sociale duke thënë se nuk është një votë kundër SHBA, por thjeshtë koherent në qëndrimin e Shqipërisë për këtë çështje.

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit.

Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qenë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së.

Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi.”

Të njëjtin qëndrim ndan në emër të Ministrisë se Jashtme për Tv Klan edhe ish-ambasadori ynë në OKB, Ferit Hoxha, për të cilin kurrsesi nuk është një vote antiamerikane.

Sipas Hoxhës partneriteti strategjik me SHBA nuk cenohet nga votimi në asamblenë e OKB.

Sipas Hoxhës, qëndrimin e saj qeveria shqiptare e ka bërë të njohur për të gjitha institucionet që kanë kërkuar të jenë në dijeni për këtë proces.

Tv Klan