Ministri i Mjedisit nga radhët e LSI, Lefter Koka i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të reflektojë me sjelljen e tij kundrejt aleatit në qeveri.

Në një status në Facebook, Koka thotë se Ramës nuk do t’i bëjë nderin që i ka bërë në vitin 2009. Shkak për reagimin e ministrit Koka është bërë një lajm për një protestë të banorëve në Borsh, që kërkojnë pronësinë e kullotave.

Për këtë çështje, ai thotë se nuk ka asnjë marrëveshje mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Delvinës për t’u marrë kullotat banorëve të zonës.

Statusi në Facebook i ministrit të Mjedisit Lefter Koka:

“Nga portalet e “Timonierit” u njoha sot me “protestën” e banorëve të Borshit, për pseudomarrëveshjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë Delvinë për t’iu “rrëmbyer” banorëve malin, pyllin & kullotën!

Në kohën kur unë si Ministër Mjedisi propozova transferimin 100% të pyjeve të pushteti vendor, me qëllimin e vetëm për t’i sjellë ato sa më pranë përdoruesit tradicional e fuqizuar ekonomikisht Bashkitë e popullatën me këtë aset të vyer ekonomik, “Timonieri” habitej se si UNË kisha në vizionin tim Decentralizimin, se si UNË kërkoja të transferoja e t’i hiqja vetes pushtet, pasi qasja e Kryeministrit është Centralizimi i plotë i pushteteve

Në këto 4 vite si Ministër Mjedisi kam punuar me përkushtim, që brezat e ardhshëm të jetojnë në një mjedis të ndryshëm nga ai që trashëguam falë papërgjegjshmërisë për më shumë se 2 dekada.

Në asnjë rast UNË, Forca Politike LSI, kolegë të mi Ministra të kësaj force politike që ne përfaqësojme , nuk mund asesi të bënim në 4 vite qeverisje , aleancë kundra qytetarëve; atë çka “Timonieri” bëri për plot 4 vite me rradhë , duke u përpjekur të verbojë qytetarët me shkëlqimin e rremë të fasadës e propagandës.

Shqiptarët do të ndëshkojnë me votë në 25 Qershor arrogancën, makutërinë, hajdutërinë dhe mashtrimin 

Ne fund, dua të të rikujtoj sërish vitin 2009, siç bëra disa ditë më parë, ndaj të ftoj të reflektosh , pasi këtë herë ndryshe nga atëherë, nuk do të ta bej favorin të ta them ç’të pret”. /tvklan.al