“Ju të gjithë nga i pari tek i fundit duhet të shkruani dorëheqjen tuaj”

.

Por në këtë kërkesë të prerë të tij, Kryeministri Edi Rama është sfiduar hapur nga ministri teknik i Drejtësisë.

Gazmend Bardhi, i Partisë Demokratike, ka pezulluar procedurat e miratimit të dorëheqjeve për të gjithë drejtuesit e Hipotekave për të nisur një hetim të plotë administrativ mbi veprimtarinë e tyre.

Bardhi vlerëson se zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të largohen me masë disiplinore   “shkarkim nga detyra” dhe jo me një akt dinjiteti siç e cilëson ai dorëheqjen. 

“Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjor që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji.

Zyrtarët publikë që cenojnë interesin e qytetarëve shqiptar, apo që kryejnë shkelje të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, deri në nivelin e talljes kolektive me to, nuk mund të largohen me akt dinjiteti, pra me dorëheqje. Largimi i tyre nga detyra, duhet të jetë një përpjekje e autoriteteve përgjegjëse për të zhdëmtuar cenimin e dinjitetit të qytetarëve, duke i larguar këta zyrtarë me masë disiplinore “shkarkim nga detyra”, apo duke përcjellë informacionin për shkeljet e tyre në organet kompetente. Kjo do të pamundësonte, që në rrethana të caktuara, apo për qëllime politike të momentit, këta funksionarë të riktheheshin në funksione publike në administratë shtetërore dhe të bëheshin premisë për cenimin e interesit të qytetarëve përsëri në të ardhmen”,

thuhet në njoftimin e ministrit të Drejtësisë.

Por ky urdhër ka pasur jetëgjatësi vetëm disa orëshe, pasi kryeministri Rama e ka anuluar atë  duke bërë të qartë se dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë. Kryeministri, në njoftimin e shpërndarë për mediat përkrah qëndrimin e ministrit kur thotë se në rast se nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë. 

Në urdhrin e anulimit, kryeministri i kujton ministrit te tij teknik se qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun. ​ 

Ky urdhër i kryeministri i hap sërish rrugën procesit të largimit të krerëve të zyrave hipotekore të cilët në përgjigje të kërkesës së kryeministrit dhanë dorëheqjen të 35-të brenda 24 orëve. TV KLAN