Ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Isik, është përplasur me homologun e tij grek, Panos Kammenos, pas vizitës së këtij të fundit në një ishull pranë territoreve turke, që Ankaraja e konsideron si të diskutueshëm.

Gjatë një fjalimi në parlamentin turk, Isik tha se “ministri grek po bën show. Ne nuk do të bëhemi pjesë e show-t të tyre por nga ana tjetër Turqia nuk do të përkulet para përpjekjeve për ta shfaqur  si “fakt të kryer” dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë, me në krye ministrin e Mbrojtjes.”

Deklarata e ministrit turk vjen pak ditë pasi ministri grek i Mbrojtjes së bashku me disa gjeneralë kishin vizituar ishullin e Agathonisit. Ishulli i Agathonisit është një ishull grek, por që herë pas here cilësohet si i pushtuar nga Ankaraja pasi është shumë afër pjesës territoriale të Turqisë.

Fotoja e ushtarëve grekë duke pjekur qengj në ishull u komentua gjerësisht në Turqi.

Dy vendet kanë përplasje edhe për një sërë ishujsh të tjerë në Detin Egje.  

 

“Hurriyet” thotë se tensioni mes Greqisë dhe Turqisë është përshkallëzuar që prej vitit të kaluar si pasojë e lëvizjeve ushtarake të dy vendeve në detin Egje.

Po ashtu, në rritjen e tensionit ka kontribuar edhe fakti që Greqia ka strehuar disa të akuzuar për grusht shteti nga Ankaraja pas tentativës së dështuar të 15 korrikut.  

Numri i turqve që kanë kërkuar azil politik në Greqi ka arritur në 100, përfshirë tetë ushtarakë që u arratisën mëngjesin e 16 prillit me një helikopter nga Turqia për në Greqi./tvklan.al