Krijimi i Bordit të menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, sipas Ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, është një instrument politik dhe jo kushtetues.

Në një letër te dërguar në datën 13 shkurt kreut të Kuvendit, Kryeministrit, Presidentit dhe Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, Vasili shpreh shqetësimin për rolin e paqartë dhe ligjshmërinë e këtij bordi.

Sipas tij fryma e Kushtetutës përcakton vetëm ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë me eksperiencë për të monitoruar procesin e vettingut.

Ministri Vasili nënvizon në letër se ky bord duhet të vazhdojë punën e tij vetëm pasi të bihet dakord mes palëve për rolin e tij.

Në letrën e dërguar theksohet se konsensusi i arritur në 21 korrik kishte të bënte me vëzhgues ndërkombëtarë ekspertë të ligjit me jo më pak se 15 vite eksperiencë, ndërsa nuk ka qenë i parashikuar krijimi i një bordi të tillë menaxhues./tvklan.al