Ishte cilësuar si krahu i djathtë i kryesocialistit Rama, por pas heqjes së mandatit të deputetit, raportet mes Koço Kokëdhimës dhe qeverisë socialiste janë shumë larg nga ato që ishin 3 vjet më parë, kur ai u fut aktivisht në politikë si përfaqësues i listës së Qarkut të Vlorës.

Ftohja u pa qartë edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të së shtunës, ku Rama e Kokëdhima u përpoqën të shmangnin njëri-tjetrin. Përplasja mes të dyve bëhet edhe më e dukshme një ditë më pas, kur sheh titullin kryesor të Gazetës Shekulli që flet për një raport sekret të autoriteteve italiane dhe atyre gjermane për kultivimin e lëndëve narkotike në Shqipëri, që sipas saj ka të implikuar edhe nga Policia e Shtetit. Por qeveria e hedh poshtë këtë raport pasi në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme, theksohet se ky lajm është tërësisht i pavërtetë dhe një sajesë e qëllimshme për të cënuar integritetin e policisë dhe punën e saj.

“Theksojmë se është një lajm tërësisht i gënjeshtërt, për raporte të fabrikuara nga redaksi që kanë si synim vetëm përbaltjen e punës së policisë. Një raport i tillë nuk ka ekzistuar kurrë, e as ekziston”.

Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se botimi i një lajmi të tillë, ka prapavijë politike dhe fsheh interesa të tjera.

“Ky lajm i fabrikuar ‎mbi ekzistencën e një raporti tërësisht të sajuar, fsheh mbrapa interesa personale, politike dhe kriminale. Rezultatet kundër drogës dhe paligjshmërisë dëshmojnë vullnetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë luftë. Nga ana tjetër, besimi i partnerëtve ndërkombëtarë te Policia e Shtetit rikonfirmohet pas çdo operacioni të përbashkët antitrafik”.

Policia e  Shtetit bën thirrje që të mos raportojë lajme të pavërteta e të sajuara që kanë për qëllim vetëm ‎keqinformimin e publikut. Ajo thotë se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujdo që prodhon, fabrikon dhe sajon shpifje të cilat synojnë prishjen e imazhit të policisë dhe të vendit.

Tv Klan