Janë disa të mira që i njihen festivaleve ndërkombëtare të filmit, pavarësisht famës që gëzojnë. Mes dhjetë arsyeve, kryesorja për regjisorët, skenaristët apo prodhuesit e filmave, mbetet mundësia që festivalet japin për krijimin e një rrjeti bashkëpunimi. Një rast i tillë është ai i regjisorit kroat Pavo Marinkoviç. Dëshira për të njohur Shqipërinë, kinemanë e saj, e tejkalon, angazhimin e tij vetëm për të konkurruar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

“Kjo është pjesëmarrja ime e 29 në një festival të filmit. Isha shumë kurioz për Shqipërinë. Jam shumë i interesuar të di sesi është zhvilluar ky vend pas një periudhe të gjatë nën komunizëm. Cili është mentaliteti juaj, edhe për kinemanë dhe si do të reagojë publiku ndaj filmit tim, mund ta quaj një provë.”

Dhe prova titullohet  “Ministry of Love”, “Ministria e dashurisë”. Një komedi e nisur nga një lajm. Për të hyrë në Bashkimin Evropian, qeveria kroate ndryshon ligjin për familjen. Ajo vendos tu heq pensionin vejushave të luftës në Ballkan nëse ato rimartohen.

“Është paradoksale, njerëzit duan të dashurojnë, mos ta kalojnë jetën vetëm, por shteti i kontrollon ata, u heq mbështetjen financiare. Nuk di të them nëse ndodh e njëjta gjë me gratë e luftëtarëve të rënë në luftë në Kosovë, Serbi apo Bosnje, por kjo është një komedi për të qarë, një nga kostot e të qenit në Bashkimin Evropian.”

“Ministria e Dashurisë” thotë Pavo Marinkovic ndoshta është një nga shembujt sesi kinemaja ballkanase mund të depërtojë në tregun evropian.

Nisur nga eksperienca ime, deri disa vite më parë, filmat për luftën ishin të pëlqyer, sot, kërkojnë histori që i flasin realitetit. Ata nuk presin një film të tipit Woody Allen, por ti flasin qoftë edhe varfërisë apo komunitetit të romëve.”

Tv Klan