kredi

12 institucionet më të rëndësishme financiare e ligjore, vendase e të huaja që operojnë në Shqipëri, janë njohur me një plan të Ministrisë së Financave për të trajtuar kreditë me probleme, pjesën më të madhe të të cilave e zotërojnë 35 kompani të medha. Për këto kompani, Banka e Shqipërisë duhet të paraqesë brenda tetorit një plan të detajuar masash.

Brenda muajit tetor Banka e Shqipërisë duhet të këtë gati një analizë të plotë dhe një plan masash për adresimin dhe trajtimin e 35 kompanive të mëdha që kanë kredi të pakthyera në bankat e vendit, vlera e të cilave ka frenuar rritjen ekonomike të vendit.

Kjo është një nga 13 pikat e planit të masave dhe kërkesat që Ministri i Ekonomisë, tregtisë dhe sipërmarrjes Arben Ahmetaj i ka dërguar 12 institucioneve, përfshirë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në të cilën kërkohet mendim dhe zbatim i planit të masave për redutimin e kredive me pobleme.

Niveli i kredive shkon në 125 miliardë lekë apo 1 miliardë dollarë. 35 kompanite që përmenden në kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, mbajnë peng afro 70 miliardë lekë depozita të qytetarëve shqiptarë të pakthyer në banka.

Kërkesa, që provon shqetësimin e qeverisë shqiptare mbi dëmin që mund t’i sjellin ekonomisë këto kredi, i dergohet Guvernatorit të Bankës, Ministrave të Financave dhe drejtësisë, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Shoqatës së Bankave, Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit, Përmbarimit, tatimeve, Hipotekave e Gjykatës së Tiranës.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se për 7 nga këto kompani me kredi me probleme ka një kërkesë për nisjen e procedurave të falimentit. Por burime konfindenciale thonë se të paktën gjysma e këtyre kompanive janë në kushtet e falimentit.

Përfaqësuesit e biznesit i kanë konsideruar këto kredi si bomba për ekonominë. Vetë Banka Botërore, në raportin e fundit për Europën Juglindore, të publikuar javën e shkuar, tha se niveli i lartë i kredive me probleme është një nga rreziqet që i kanoset ekonomisë dhe frenon kredi-dhënien. Ndërsa në raportin e Bankës së Shqipërisë për muajin gusht vërehet një rënie e kreditimit të ekonomisë me 6.6 miliardë lekë, si pasojë kjo edhe e frikës së bankave për të dhënë kredi për shkak të kredive me probleme.

Ministria e Ekonomisë, në draftin dërguar 12 institucioneve sugjeron të vendosen kritere të reja për sekuestrimin e kolaterialit apo që duke filluar nga 1 janari i vitit 2018 bankat të japin kredi për bizneset vetëm në bazë të deklaratës tatimore.

Tv Klan