Ministria e Financave ka kallëzuar penalisht disa zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në një raport të siguruar nga televizioni Klan, drejtoria e inspektimit financiar ka gjetur shkelje të cilat kanë shkaktuar në buxhetin e shtetit një dëm në vlerën e 7.5 milion dollarëve. Raporti u bën me dije organeve hetimore se zyrtarët e rajonit verior dhe qëndror, përfshirë drejtorinë e Tiranës, nuk kanë zbatuar ligjin e buxhetit dhe kanë marrë përsipër angazhime buxhetore të kundraligjshme duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale “shpërdorim detyre”.

Shkeljet janë gjetur në dy lloj rastesh, ku për të dyja, zyrtarët kanë vendosur firmën për t’i dhënë kompanive private më shumë fonde se sa parashikohen në buxheti si për të kryer punë publike, ashtu edhe për mirëmbajtjen e rrugëve. Në rastin që ligji i buxhetit i cili miraton mënyrën se si do të shpenzohen paratë e shtetit me votat e shumicës parlamentare, ka vendosur destinacionin e parave për vitin 2016-të, drejtoritë rajonale të rrugëve nuk e kanë respektuar dhe u kanë dhënë kompanive më shumë para. Në këtë rast detyrimin për firmat do ta mbajë sërish buxheti i shtetit, pasi angazhimi është marrë nga një autoritet publik.

Drejtoria e inspektimit financiar shprehet se kjo është një nisëm e kundraligjshme, e cila i shkakton shtetit lindjen e detyrimeve të prapambetura. Së bashku me dhënien e parave shtesë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, janë konstatuar edhe lidhje kontratash me institute jashtë fondeve në buxhet dhe prishje të njëanshme të tyre të cilat po ashtu kanë krijuar kosto për arkën e shtetit.

Tv Klan