Stafi i Ministrisë së Financave ka nisur punën për të rishikuar buxhetin e vitit 2017-të. Burime zyrtare në këtë institucion thanë për televizionin Klan se projekt-drafti ka filluar të hartohet prej disa javësh, por do të jetë gati në muajin shtator.

Puna për finalizimin e tij po mbahet pezull për shkak të miratimit të strukturës së re të qeverisë, ku burimet në këtë institucion pohuan që do të ketë një rikonceptim të ministrive dhe shkrirje të disa institucioneve.

Për këtë arsye, edhe ndryshimi i ligjit bazë të buxhetit është i pashmangshëm. Këtë vit buxheti nuk do të pësojë shkurtime pasi performanca e mbledhjes së të ardhurave ka qenë sipas parashikimeve, ndërsa shpenzimet publike nuk janë bërë në masën e duhur, duke e nxjerrë arkën e shtetit me sufiçit.

Teprica e fondeve do të shpërndahet për zërin e energjisë elektrike dhe ministrinë e Transporteve për të përfunduar ndërtimin e disa rrugëve që kërkojnë financime shtesë. Burimet pohuan për televizionin Klan se buxheti nuk do të nxjerrë para “cash” për të blerë energjinë elektrike, por mund të rritë tavanin e borxhit publik për të ofruar garanci shtetërore që të bëhen importe. Të gjitha shpenzimet për energjinë do t’i lihen dy kompanive: KESH-it me fondin e Bankës Botërore dhe OSHEE-së.

Tv Klan